Kandidati për kryetar i Komunës së Studeniçanit nga radhët e Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi, ka premtuar ndërtimin e një shkolle të mesme në Komunën e Studeniçanit, por para kësaj ai tha se do të përkushtohen në kushtet e shkollave fillore. Ai premtoi hapsira të reja për nxënësit e arsimit fillor, hapsira sporti si dhe çerdhe për fëmijët e kësaj komune. Përveç kësaj Memedi tha se nëse merr mandatin do të angazhohet edhe për departizimin e arsimit dhe ngritjen e cilësisë.

“Ne do të duhet patjetër të sigurojmë një objekt të ri të shkollës fillore në Studeniçan për fëmijët deri në klasën e parë dhe në të njëjtin objekt të sigurojmë hapësirë për çerdhe. Unë mendoj se kemi argumente të mjaftueshme ligjore që hapësirat në Shkollën Fillore në Studeniçan dhe Batincë nuk mjaftojnë për të zhvilluar procesin edukativo arsimor në bazë të standardeve modern. Një problem tjertër është edhe distance që fëmijët tanë në Studeniçan do të duhet 2-3 km të udhëtojnë deri te hapësirës e shkollës. Mendoj se para se të shkojmë te shkolla e mesme, patjetër ne ta ngrisim cilësinë dhe standardin në shkollat fillore, duke filluar nga hapësirat e përshtatshme, çerdhe dhe profesionalizmin në arsim. Do të bëjmë stopimin e partizimit të arsimit, kjo është shumë me rëndësi”, ka thënë Memedi. /SHENJA/

Shperndaje