????????????????????????????????????

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali hmeti, në tubimin partiak të mbajtur në Gazi Babë ka përshëndetur  vendimin për listë të përbashkët të partive shqiptare që konkurojnë për qeverisjen lokale, duke çmuar se bashkimi i forcave  është një akt e veprim shumë i madh. Dikujt, tha ai, mund t’i duket hap i vogël, por levërdia është shumë e madhe për vet shqiptarët në Komunën e Gazi Babës: ‘Sa më të bashkuar që jemi, aq më të dobishëm do jemi. Sa më të bashkuar të jemi, aq më të rëndësishëm dhe të fortë do të jemi,’- tha i pari i BDI-së duke bërë të ditur edhe angazhimin e tij personal që gjithandej ku shqiptarët numerikisht janë më pak, që nga Ohri e deri në Kumanovë, shqiptarët të bashkojnë forcat me qëllim të kapitalizimit të votës së tyre. Rezultat i këtij angazhimi janë marrëveshjet në Gazi Babë,  Manastir e Ohër. ‘Ne nuk kërcënojme as rrezikojmë askend në këto vendbanime, që shqiptarët janë bërë bashkë, sepse shumëkush e mori si një bashkim të rrezikshëm për të tjerët. Nuk qëndron kjo fare. Qëllimi është që shqiptarët në këto hapësira, ku janë pakicë, të interesohen dhe kujdesen vet për menaxhimin e programit, për marrëveshjet që do i bëjnë me partitë apo me kryetarin që do të menaxhojë katër vitet e ardhshme me këto komuna. Domethënë, dalzotës të jenë vet shqiptarët në lokalitetin e Gazi Babës,’- tha kryetari Ahmeti duke shprehur bindjen se këshilltarët shqiptarë do t’ia dalin ta dëshmojnë këtë gjatë këtij mandati.

Duke folur për bashkëpunimin me LSDM-në, kreu i BDI-së ritheksoi se mbështjetja do të jetë e dyanshme në ato komuna ku njëri prej partnerëve nuk ka gjasë për fitore. Në rastin e votimeve për kryetarin e Qytetit të Shkupit Ahmeti bëri thirrje që të votohet kandidati i LSDM-së, sikundër që kjo e fundit do të mbështesë kandidaturat e BDI-së në qytetet komunat me shumicë shqiptare. Kjo, tha Ahmeti do të jetë në forcimin e qeverisjes dhe në dobi të të gjithë qytetarëve.

Duke vlerësuar  fushatën e deritanishme, Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, tha se  kanë ikur kohërat për të demonstruar shqiptarizëm e fjalor patriotik, këtu e deri në qiell: ‘ Sot çështjet janë shumë pragmatike, sot çështjet janë shumë të prekshme – a do t’i çojmë proceset përpara, a do të jemi nesër më mirë sesa sot, a do t’i ndërtojmë këto kanalizime, a do të kemi qytet më të pastër, a do të kemi shkolla më të mira,’- nënvizoi kryetari Ahmeti duke shfaqur mirëkuptim për shqetësimet e banorëve të kësaj ane për shkrim-lexim e mësim në gjuhën shqipe.

Kryetari i BDI-së siguroi se këshilltarët që do të zgjidhen, por dhe kjo komunë, do të gëzojnë mbështetje të parezervë të Qeverisë, Parlamentit dhe organeve drejtuese të gjithë BDI-së. Zoti Ahmeti nënvizoi se Qeveria e re reformatore me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare që gëzon do të bëj hapa të dobishëm me leverdi për të gjithë – që nga individi e deri tek komuniteti. Kryetari Ahmeti me këtë rast iu përgjigj edhe pyetjeve të shtruara  nga të pranishmit duke siguruar se do të mundohet që shqetësimeve të tyre t’ju japë zgjidhje sa më parë.  

Shperndaje