Në mandatin e Nikola Gruevskit, janë investuar mbi 400 milionë në autostrada, rrugë rajonale të zonave të banuara me shqiptarë në Maqedoni.

Këtë e ka thënë vetë Gruveski në një intervistë ekskluzive për “Zona e Debatit” në Klan Kosova.

“Ka pasur shkolla të ndërtuara nga themeli,, pajisje spitalore në Tetovë, Kërçovë, Kunamovë, Sturgë, ku ka një numër të madh të shqiptarëve. Vetëm në Pollog kanë marrë mbi 25 milionë euro subvencione për fermerë. Mbi 25 mijë vende pune janë hapur në Tetovë, Kërçovë, Gostivar dhe Kumanovë”, ka thënë Gruevski.

“Shumë shqiptarë nuk e kanë ditur se çfarë është të shkohet në punë në orën 8 të mëngjesit, por tash ka shqiptarë që shkojnë në punë në këtë kohë. Ashtu edhe maqedonas nëpër vende më të vogla, ku me dekada të tëra në fshatra s’ka pasur punë, ose janë marrë me bujqësi ose kanë marrë para nga diaspora”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Gruevski ka folur edhe për cilësinë në arsim, duke përmendur se ai si kryeministër ka bërë hapjen e dhjetë fakulteteve në Universitetin e Tetovës.

“Kur keni një qeveri një koalicion nuk mund të mos ketë ndikim partneri i koalicionit dhe jo gjithçka është ashtu siç dëshironi. Unë kam pasur dëshirë të madhe që të ndihmojë në pjesën e arsimimit më të mirë të shqiptarëve. Ne një periudhë më të gjatë për fat të keq, pak para ardhjes sime kemi një dallim te cilësia e arsimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Niveli i shkollimit të maqedonasve është një prej më të dobëtëve në Evropë. Ne nuk kemi një universitet që është ndër 2000 të parët në listën e Shangait”.

“Edhe arsimin maqedonas nuk e vlerësoj si të fuqishëm megjithatë te shqiptarët situata është më e keqe”, ka thënë Gruevski.

Gruevski ka thënë se punën e tij për arsimimin e shqiptarëve nuk mund ta mohojë askush.

“Këtë se bën dikush që mendon dikush keq për popullin. Ato fakultet u hapën u bënë realitet, ajo që cilësia është e dobët aty, është diçka tjetër ne ndihmuam që cilësia të përmirësohet. Me planin tim kemi hapur një universitet të ri, që plani ka qenë që studentët të jenë shqiptarë, të ketë edhe maqedonas por edhe të huaj”.

“Ky sipas planit do të ishte një prej universiteteve elitë në Republikën e Maqedonisë. Shumë kohë kam folur me Ali Ahmetin që shqiptarët kanë nevojë për universitete cilësore, propozimi ishte që në universitetin “Nënë Tereza” të ligjëronin ligjërues nga gjithë bota.

“I thashë do t’i paguajmë sa të kërkojnë me rëndësi të fitojmë një universitet nga i cili do të dalin me cilësi  dhe të jenë konkurrues në tregun fuqisë punëtore”.

“U themelua universiteti, ministri ishte nga BDI dhe në kundërshtim me marrëveshjen aty u punësuan vetëm shqiptarë lokalë, nuk jam kundër që janë shqiptar, por sikur të kishin cilësi më të lartë. Kam folur me Ahmetin dhe i kam thënë nuk jam kundër që janë shqiptarë, atëherë, të gjejmë ligjërues shqiptarë në ndonjë universitet në Zvicër, Austrisë, Gjermanisë, Anglisë.

“Kur u themelua universiteti pash që ka gabuar punë, dhe është emëruar një rektor një kandidat për kryetar të Strugës dhe në të kaluarën ishte ministër i arsimit”, ka thënë ai.

Për këto raste Gruevski ka thënë se nuk mund ta akuzojë dikë për korrupsion, ani pse ka pranuar se mund të ketë, siç shton, si në çdo shtet të Ballkanit.

“Shqiptarët duhet të kenë arsim më cilësor. Ka shqiptarë me arsim cilësor. Por ata nuk vijnë në shprehje, nuk propozohen kuadro të tilla në qeveri, kryesisht depërtojnë kuadro që nuk janë cilësore. Në kohën kur isha kryeministër në administratën shtetërore, thuhej ‘ai i keqi që nuk i do shqiptarët ai armiku i shqiptarëve” u dyfishua numri i shqiptarëve të punësuar”.

Gruevski ka thënë se ka dyfishuar numrin e shqiptarëve në Administratën Shtetërore.

“Kemi trashëguar 10 % të shqiptarëve në administratë tani keni 20%. Tani sasia është plotësuar, sa i përket cilësisë duhet të punohet, u punësuan shqiptarët, pjesa më e madhe e tyre janë me diploma të cilat janë më lehtë të fituara se të meqadonasit, me më pak të mësuar dhe njohuri dhe kjo vërehej në administratë.

“Kështu po krijohet pasqyrë e mosrespektimi të shqiptarëve. Është me rëndësi që të kemi arsim cilësor për të gjithë edhe shqiptarët edhe maqedonasit”, ka shtuar ai.

Shperndaje