Institucionet e Kosovës, ende nuk janë hapur krejtësisht kur është në pyetje publikimi i punës së tyre. Qasja në dokumentet zyrtare ende del të jetë një punë mjaft e vështirë.

Madje në vazhdimësi adresohen ankesa prej medieve, që institucionet janë tejet të mbyllura në këtë aspekt, shkruan Indeksonline.

Këtë më së miri e dëshmon një raport i publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit, ‘’ Raport Gjithëpërfshirës 2016, i institucioneve publike për realizimin e së drejtës për qasje në dokumentet publike’’.

Mirëpo nuk mungojnë rastet kur institucionet japin leje për kërkesat në dokumente.
Referuar këtij raporti në total numri i kërkesave për qasje në dokumente zyrtare ka qenë 2 mijë e 169. Prej tyre 2 mijë e 50 janë lejuar, ndërsa janë refuzuar 62.

Vetëm në drejtim të institucioneve qendrore Kuvendit, Presidencës e Gjykatës Kushtetuese janë adresuar 21 kërkesa. Prej tyre 20 janë lejuar, ndërsa vetëm një është kufizuar.

Ndryshe në Qeveri, Ministri, e Agjenci tjera vartëse, kanë arritur 671 kërkesa. Prej këtij numri 599 kanë marrë ‘’dritën jeshile’’, 31 janë refuzuar derisa 41 me qasje të kufizuar.

Tek Institucionet e Pavarura kanë mbërritur gjatë vitit të kaluar 181 kërkesa. 173 janë lejuar, 5 janë refuzuar e 3 me qasje të kufizuar, shkruan Indeksonline.

Në Universitete janë drejtuar gjithsej 89 kërkesa, prej të cilave 87 janë lejuar e dy janë refuzuar. 124 kërkesa ka qenë numri tek ndërmarrjet publike, 122 janë lejuar ndërsa 2 janë refuzuar.

1083 është totali i kërkesave të adresuara tek Komunat. 1049 të lejuara, 22 të refuzuara e 12 të kufizuara.

BurimiRTKlive.com
Shperndaje