Ish kryeministri i Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Ahmet Davutogllu, sot e vizitoi Universitetin e Tetovës. Fillimisht, ai u prit në një takim nga udhëheqësia e Universitetit tonë, ndërsa më pas në amfiteatrin e Rektoratit, para studentëve dhe stafit akademik mbajti një ligjëratë, me temë:  “Ardhmëria e (ç)rregullimit kombëtar dhe global: Populizmi përjashtues kundrejt qeverisjes globale gjithëpërfshirëse”.

Në emër të Universitetit të Tetovës dhe të Rektorit, Prof. Dr. Vullnet  Ameti, ish kryeministrit turk, Prof. Dr. Ahmet Davutogllu mirëseardhje i uroi Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit, Prof. Dr. Arbër Çeliku. “Për ne është nder dhe privilegj që, sot në mesin tonë e kemi një figurë aq ambivalente siç është Prof. Dr. Ahmet Davutogllu. Prominenca e profilit të tij shfaqet në shumë sfera, si në atë akademike, politike, humane dhe shoqërore. Ndonëse shumica e cilësojnë atë si një politikan të profilit të lartë dhe, me të drejtë, ia kanë atribuuar epitetin e arkitektit të politikës së jashtme të Turqisë, sigurisht që për shkak të postit si ish-kryeministrit dhe njërit ndër figurat kyçe të Partisë për drejtësi dhe zhvillim (AKP), unë them me plot gojën, se Prof. Dr. Ahmet Davutogllu ndikimin më të madh e ka arritur përfundimisht në rolin e intelektualit, duke fituar në këtë mënyrë një besim të madh në shtresat e gjera të opinionit publik mbarëbotëror. Fillimisht, unë pata rastin ta njoh profesorin e nderuar në dhjetor të vitit 2012, kur dhe ai u shpall Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, gjithsesi se, në radhë të parë, për kontributin e tij intelektual dhe shoqëror, dhe me këtë rast, mora dhuratë librin e tij me dedikim për mua, të sapobotuar në gjuhën shqipe, Thellësia strategjike. Duke qenë edhe vetë një krijues, më shumë një përkthyes i shkollës filozofike të Frankfurtit, sapo e lexova librin, nga mënyra e ndërthurjes tekstore, shtrimit të problemit, tematizimit të çështjeve me rëndësi politike dhe shoqërore, munda të tërhiqja paralele me autorët e përkthyer nga unë si Habermas, Adorno, Derrida, Ulrich Beck dhe të vija në përfundim, se Turqia vërtet i kishte dhënë botës një intelektual të rangut botëror. Shumëkush, me të cilët kam folur për librin, të prirë më shumë nga gjykimi shabllonizues dhe jo nga një arsye e kulluar, denjojnë të pohojnë se përmes librit në fjalë mëtohet rivendosja e Turqisë si forcë absolute në ish-vendet e sunduara nga Perandoria e dikurshme Osmane. Por jo, këta individë, siç duket, nuk e kuptojnë koncepcionin e një soft power, përmes të cilës në mbarë rajonin mund të postulohej paqja e përhershme, që për arsyet e njohura deri më sot mbetet një nocion sa abstrakt aq edhe i brishtë. Për më tepër, teoria politike-shoqërore e profesor Davutogllut paraqet një kushtrim për shumëllojshmërinë kulturore të proceseve modernizuese dhe njëkohësisht ajo është e hapur krah më krah për korpusin e përbashkët të traditave kulturore me një spektër të gjerë regjional, gjë që na e imponon të gjithë neve dialektikën e traditës dhe modernitetit, proces ky funksional në Evropë dhe SHBA, ku moti kohë ekziston një komunikim i frytshëm midis kulturave”, theksoi Prof. Dr. Arbër Çeliku.

Ai, po ashtu tha se këto procese ndodhin në një skenë të hapur, në të cilën çdonjëri e mirëpret çdonjërin dhe imazhi për vetveten gjithmonë është në raport të qartë me imazhin për tjetrin. “Dinamikën e marrëdhënieve të vendeve tona me Turqinë, të zhbalancuar nga ndikimi i një ere të egër mbi 50 vjeçare, ai e sheh si të natyrshme dhe të patjetërsueshme, duke e vënë theksin mbi koherencën kulturore dhe arsimore. Vizita e profesor Davutogllut dëshmon qartazi për përkushtimin e tij personal, por edhe të qeverisë turke se vendi ynë ka nevojë për mbështetje afatgjatë të vendeve mike, që në një plan afatgjatë do të garantojnë stabilitet, si ekonomik ashtu edhe politik. Kurse, prania e tij në Universitetin e Tetovës nuk mund të quhet vizitë, sepse Prof. Dr. Ahmet Davutogllu është në shtëpinë e vet dhe tashmë bën pjesë të patjetërsueshme në komunitetin tonë akademik dhe, dihet fare mirë, se anëtarët e një komuniteti akademik mbajnë përgjegjësi për njëri-tjetrin, jo vetëm sot për sot, por për gjenerata me radhë, për shkak se ata ndajnë të njëjtat vlera dhe tradita dhe midis vete janë të lidhur përmes fijeve të çelikta të socializimit. Në këtë kontekst, edhe përgjegjësia individuale e gjithsecilit ndikon dukshëm edhe në përgjegjësinë kolektive dhe homogjenizon atë që quhet bërthamë e shoqërisë, pra shtresën akademike, që unë i quaj gladiatorët e pamposhtur të arsimit, kulturës dhe emancipimit. Dhe në këtë prizëm, Universiteti i Tetovës është koloseumi i këtyre gladiatorëve, që me mish e me shpirt luftojnë për një mirëqenie kulturore, kombëtare dhe qytetëruese, për ta përmbysur njëherë e përgjithmonë dilemën e kahershme tonën: „Si mund të kthehet në normalitet ekstremi i mizorisë?“ Kur them mizori, asocioj në të kaluarën e afërt historike: privimi i përdorimit nga të drejtat elementare njerëzore: gjuha, simbolet, arsimimi dhe kultura dhe jo vetëm kaq, por edhe avancimi dhe perfeksionimi i tyre deri në përsosmëri dhe ruajtjen dhe kultivimin e tyre deri në naivitet nga secili pjesëtar i këtij komuniteti. Dhe jemi në rrugë të mbarë dhe do të vazhdojmë edhe më të angazhuar në të ardhmen, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i kthehemi normalizimit të pretenduar për shekuj me radhë. Megjithatë, normalizimi është një entitet i hapur dhe kërkon edhe angazhim të jashtëm, për të qenë sa më i qëndrueshëm dhe rezistues karshi zhvillimeve shoqërore-politike. Personalisht, ndjehem mirë që në mesin e gladiatorëve tanë, kemi edhe një figurë kaq poliedrike siç është Prof. Dr. Ahmet Davutogllu”, shtoi mes tjerash në fjalën e tij Prof. Dr. Arbër Çeliku.

Në ligjëratën e tij “Ardhmëria e (ç)rregullimit kombëtar dhe global: Populizmi përjashtues kundrejt qeverisjes globale gjithëpërfshirëse”, ish kryeministri i Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Ahmet Davatogllu tha se sot bota ka nevojë për organizimin e një rendi të ri botëror. “Ndjehem krenar që sot përsëri ndodhem në Universitetin e Tetovës, në Universitetin ku unë edhe e kam pranuar titullin më të lartë shkencor, Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, por sot jam këtu për të mbajtur një ligjëratë mbi të ardhmen e rajonit dhe në përgjithësi botës dhe është kënaqësi për mua që këtë temë ta trajtoj këtu së bashku me Ju. Ne e dimë se historia nuk ka fund dhe nuk përfundon kurrë, ajo lundron shpejtë dhe ne duhet të jemi të përgatitur për sfidat me të cilat do të ballafaqohemi gjatë këtij lundrimi. Civilizimet asnjëherë nuk kanë luftuar ndërmjet veti, siç ishin lufta e parë dhe e dytë botërore, por në këto 500 vitet e fundit luftërat nuk kanë pasur të bëjnë asnjëherë në mes islamit dhe perëndimit, por gjithmonë kanë pasur të bëjnë brenda një civilizimi. Pse e jap këtë sqarim, ka dy qasje, njëra është qasja e përjashtimit që e përjashton dhe tjetra është qasja gjithëpërfshirëse, ku të gjithë përfshihen në procese. Cfarë na duhet neve sot. Sigurisht që na duhet një qasje gjithëpërfshirëse në organizimin e rendit të ri botëror. Kjo do të arrihet përmes bashkëpunimit në shumë sfera të ndryshme si arsim, kulturë, shkencë, si dhe shumë forma të tjera”, tha  Prof. Dr. Ahmet Davutogllu.

 

Ish Kryeministrit të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Ahmet Davutogllu, në shenjë respekti dhe falënderimi, Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili i ndau një dhuratë me portretin e themeluesit dhe  Rektorit të parë, historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

 

Shperndaje