Në Kosovë përkujtohen protestat e fuqishme të studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të mbështetura nga populli, të para 20 viteve, 1 tetorit 1997, në mbrojtje të arsimit shqip, për lirimin e Universitetit e shkollave të okupuara nga regjimi i dhunës serbe.

Jubileu i protestave shënohet me aktivitete treditore që nisin sot me një akademi solemne, për të vazhduar me shfaqen e një dokumentari për për Lëvizjen Studentore dhe protestat e 1 tetorit, për të cilat të hënën do mbahet edhe konferenca shkencore me 40 kumtesa e të martën do hapt ekspozitë fotografish nga përgatitjet e zhvillimet e protestave të përkrahura fuqimisht nga populli e të pëballura me dhunën e egër e arrestimet nga forcat okupuese të regjimit të Beogradit.

Në Kosovë përkujtohet tradicionalisht 1 tetori i  vitit 1997, i vlerësuar si pikë kthese në historinë më të re të Kosovës. Drejtues të Lëvizjes Studentore në atë kohë ishin Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti, Driton Lajçi, Ernest Luma, e të tjerë, mbështetur fuqishëm edhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, i cili ishte me studentët edhe në ballë të protestës së 1 tetorit 1997 dhe të përballjes me forcat okupatore.

Po ashtu, bëhet e ditur se në Prishtinë do të mbahet edhe një konferencë ndërkombëtare me temën  ‘Ballafaqimi me të kaluarën: Lëvizjet shoqërore në Kosovë gjatë socializmit dhe viteve ‘90’, në 6-8 tetor.

Në axhendën e njoftuar nga organizatorët është edhe “paneli shënues i 20-vjetorit të demonstratave të 1997-es, me ish- organizatorët e kësaj demonstrate – Mihane Salihu Bala, Albin Kurti, Bujar Dugolli. /a.ke/

Shperndaje