Kosova dhe Serbia duhet të përmbyllin kapitullin e armiqësive me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Kështu u shpreh presidenti kosovar, Hashim Thaçi, në një intervistë për “Radio Europa e Lirë”.

Udhëheqësi kosovar, i cili gjendet në Nju Jork si pjesë e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pohoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Bashkimit Europian, do të marrë një dinamikë të re me qëllimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, që sipas tij do të nënkuptonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe pajtimin mes dy popujve.

Thaçi mbrojti idenë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë t’i nënshtrohet edhe referendumit.

“Mendoj se, përtej bartësve të institucioneve, përtej qeverisë, përtej Kuvendit, duhet që këtë radhë edhe sovrani, pra populli i Kosovës të shprehë vullnetin e tij për marrëveshjen”, tha Hashim Thaçi.

Sipas tij, marrëveshja përfundimtare me Serbinë, të cilën e quajti historike, nuk duhet të mbetet peng i problemeve ditore politike, apo fushatave partiake politike. “Duhet të vihet mbi interesat e çdo partie, ideologjie, apo personaliteti”, pohoi Thaçi, duke kërkuar kështu bashkëpunimin e opozitës.

/ Top Channel

Shperndaje