Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 është përkujtuar me një ceremoni solemne organizuar nga Universiteti i Prishtinës.

Për nder të këtij përvjetori organizatorët e protestës që shënuan kthesë në historinë e Kosovës u dekoruan me medaljen “Urdhri i Lirisë” nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Vet Thaçi nuk ishte për t’ua dhënë dekoratën organizatorëve por as të gjithë organizatorët nuk morën pjesë në ceremoni.

Çmimin “Urdhri i Lirisë në emër të presidentit Thaçi e ka ndarë këshilltari i tij Ismail Syla, i cili tha se ndihet i nderuar ta jap këtë çmim në  20 vjetorin e protestës së 1 Tetorit të vitit 1997 dhe Lëvizjes Studentore.

Ai ka theksuar se vitin tjetër bëhet gjysmë shekulli të historisë moderne të Kosovës, ndërsa ka përmendur demonstratat e vitit 1968, demonstratat e vitit 1981, protesta e 1 tetorit 1997 dhe Lufta e  ndritshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ngjarjet më të lavdishme që karakterizojnë historinë shqiptare të kësaj periudhe.

Në këtë akademi morën pjesë personalitete të ndryshme të jetës politike, institucionale dhe arsimore të Kosovës, ndërsa u shfaq një program artistik i përgatitur nga Akademia e Arteve.

Rektori i UP-së, Marjan Demaj, tha se protestat e 1 tetorit të vitit 1997 thyen frikën, përderisa çmoi kontributin e studentëve të UP-së, profesorëve dhe rektorit historik Ejup Statovci, që kanë dhënë në rrugën e lirisë.

Ai tha se  1 tetori i 97-ës shënoi kthesën pikante në historinë shqiptare, duke shndërruar Kosovën në temë të rëndësishme për mediat ndërkombëtare dhe duke bërë që vizionet për liri dhe pavarësi t’i lënë hapësirë vizioneve të reja.

Në emër të organizatorëve të protestave ka folur Bujar Dugolli, i cili ka përkujtuar 323 studentët e rënë dëshmorë prej vitesh  duke thënë se shpreh mirënjohjen më të thellë për ta.

Më tej, Dugolli ka treguar rrjedhën kronologjike të themelimit të UP-së duke vënë në pah sfidat e shumta me të cilat janë ballafaquar studentët në Kosovë, sipas të cilit kanë qenë gjithmonë forcat e lëvizjes me karakter kombëtar.

Ndryshe, aktivitet e UP-së për 20 vjetorin e protestës së 1 Tetorit do të zgjasin deri më 3 tetor. Ndërkaq nesër do të ndahen mirënjohje për 20 profesorë dhe 20 studentë kontributdhënës në protestat studentore./KosovaPress/

Shperndaje