Kryeministri Edi Rama, publikoi dje rezultatet e komunikimit me qytetarët, të cilëve nëpërmjet Facebook, ju kërkoi të tregojnë eksperiencat negative që kanë pasur me administratën publike.

Në raport, Rama veçoi edhe një listë prej 100 personash, punonjës të administratës publike, emrat e të cilëve përmenden nga qytetarët, si protagonistë të eksperiencave negative.

Publikimi i kësaj liste ka ngjallur një sërë reagimesh ndaj kryeministrit Rama, por ky i fundit i ka dhënë një  përgjigje kritikëve, nëpërmjet një statusi në Facebook, të publikuar pas mesnate.

Në statusin e tij Rama thekson se emrat e publikuar janë nxjerrë nga komentet e qytetarëve dhe nuk janë as “listë e zezë” e as qëndrimi apo opinioni i tij personal.

“Çdo punonjës që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta, do të përballet me ferrin e koalicionit të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij”, paralajmëroi Rama, nëpërmjet statusit të tij në Facebook.

Burimitop-channel.tv
Shperndaje