Kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës e BDI-së, Teuta Arifi sot mbajti takim me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në vendin e ish-deponisë së egër dhe stacionit për ngarkimin e hedhurinave në hyrje të Tetovës, me ç’rast theksoi se e ka mbajtur fjalën e saj të dhënë para katër vitesh gjatë fushatës së atëhershme ka thënë se pas mandatit të saj dallimi do të jetë i dukshëm lidhur me atë që ka qenë paraprakisht.

“Kjo hapësirë që për një kohë të gjatë u shfrytëzua si stacion për ngarkim, ndërsa më pas u shndërrua në deponi të egër tani është pastruar në tërësi, është dezinfektuar dhe do të zhvillohet në pajtim të planit të sjellë urbanistik. Për këtë qëllim ne kemi punuar me angazhim fillimisht me stabilizimin e ndërmarrjes publike komunale që para katër vjetësh e gjetëm në gjendje të palakmueshme, më pas me vendosjen e furrës në stacionin transferues në rrugën për në Trebosh dhe fillimin me ndërtimin e objektit për riciklim sekondar të hedhurinave në drejtim të Falishtes. Me ndihmën e marrë nga Qeveria përfundimisht e pastruam stacionin për ngarkim”, tha Arifi.

Ajo potencoi se këto janë zgjidhje afatgjata që së bashku me zgjidhjen e statusit të deponisë rajonale në Rusino të Gostivarit do të kontribuojnë kjo hapësirë asnjëherë të mos bëhet deponi e madhe e egër.

Potencoi se sipas procedurave përfundimtare rreth planit urbanistik të detajuar pjesa e tokës në pronë shtetërore do të dedikohet për sipërfaqe të gjelbra, ndërsa pjesa që është në pronë private do të shfrytëzohet në pajtim me rregullat ligjore.

Shperndaje