Shkupi dhe komunat e Shkupit do të jenë servis i qytetarëve, autoritetet lokale do të punojnë vetëm në interes të qytetarëve dhe në konsultim me ta. Nuk do të shpenzohen paratë e tyre për biznes interesa të huaja, nuk do të shkatërrohen sipërfaqet e gjelbra në qytet dhe as nuk do të sillen PUD të cilat do ta mbysin atë. Do t’ia kthejmë shkëlqimin dhe frymën qytetit të Shkupit, ashtu siç e dëshirojnë banorët e tij, porositi kryetari i LSDM-së dhe kryeministër Zoran Zaev, në Forumin me qytetarët që u mbajt në pllajën para Sallës Universale në Shkup.

Kjo ngjarje, tha, duhet të na tregojë për kohën e re e cila po vjen dhe marrëdhënien e re të këshilltarëve dhe kryetarëve të komunave të Shkupit dhe të Qytetit të Shkupit ndaj qytetarëve.

“Përfundoi koha kur prej disa kolltukëve në kabinete drejtpërdrejt duke e menaxhuar edhe Gruevski edhe Koce Trajanovski dhe kryetarët e tjerë të komunave e krijuan fotografinë e Shkupit tuaj, kryeqytetit tim. Kjo kohë mbetet pas nesh. Askush nuk mund të na pengojë në qëllimin për t’ia kthyer frymën Shkupit ashtu siç e duan vetë shkupjanët”, tha Zaev.

Potencoi se as pushteti komunal e as ai qendror nuk do të sjellin plane urbanistike pa debat publik ashtu siç do të thonë qytetarët. Infrastruktura e cila do të ndërtohet në Shkup, tha, duhet t’i mundësojë qytetit të marrë frymë, ndërsa do të ndalojnë edhe të gjitha keqpërdorimet të cilat kanë ndodhur periudhën e kaluar me uzurpimin e çdo këndi dhe të një numri të madh të hapësirave të gjelbra.

Kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Shkupit edhe për kandidatin për kryetar të Qytetit të Shkupit edhe për kryetarë të komunave të Shkupit, pasi që, siç tha “Shkupi është shumë i rëndësishëm, nëse na jeton Shkupi do të na jetojë edhe Maqedonia”.

Bindjen për fitore edhe në Shkup edhe në komunat e Shkupit e ndan edhe kandidati për kryetar komune, Petre Shilegov.

“Jam i bindur edhe në fitoren time edhe në fitoren e kandidatëve për kryetarë komunash. Por, këto janë kohëra të vështira në të cilat njerëzit e kanë humbur besimin në institucione dhe prandaj na pret punë serioze dhe e përkushtuar të gjithë neve, me ndihmën e pushtetit qendror”, tha Shilegov.

Zaev, së bashku me kandidatin e LSDM-së dhe koalicionit për kryetar të Shkupit, Petre Shilegov sot ishin në Saraj dhe më shumë fshatra përreth. Me banorët kanë biseduar për ndërtimin e rrugëve të reja, kanalizimeve, të ketë ujë, kopshte, të ketë vende pune për të rinjtë, njerëzit ta shohin të ardhmen e tyre në vendlindje.

Shperndaje