Thursday, May 2, 2024
HomeLajmeS’ka qeveri pa ndryshime kushtetuese! Kasami: I vetmi mekanizëm për ta bindur...

S’ka qeveri pa ndryshime kushtetuese! Kasami: I vetmi mekanizëm për ta bindur VMRO-në, është të hyjmë në Qeveri

Ndryshimet kushtetuese ngelin edhe më tej kusht i koalicionit VLEN për formim të qeverisë me cilëndo parti maqedonase, veçanërisht me VMRO-DPMNE meqenëse kjo parti edhe më tej nuk i pranon të njejtat. Bilall Kasami nga koalicioni VLEN, thotë se e vetmja mënyrë për ta detyruar VMRO-në për ndryshimet kushtetuese, është të hyjnë bashkë me ta në përbërjen Qeveritare. Përndryshe, thotë se në opozitë s’ke se si u bëhet presion. Pa ndryshime kushtetuese, Kasami thotë se nuk ka formim të qeverisë.

“I vetmi kombinim për ndryshime kushtetuese është që në qeverinë e ardhshme të jetë opozita maqedonase dhe shqiptare. Pse? Sepse edhe përkundër rezistencës së opozitës maqedonase për të bërë ndryshimet kushtetuese, i vetmi mekanizëm për të detyruar dikënd për ndryshime kushtetuese dhe për të bërë reforma, është duke qenë pjesë e qeverisë. Sepse institucionalisht i bën presion qeverisë. Çfarë presioni mund t’i bësh një partie opozitare? Në këtë kombinim, edhe po të rezistojë VMRO-ja, kushti jonë, kusht parakusht thoni si të doni, do të jetë që të ndodhin ndryshimet kushtetuese. Nuk ka Qeveri pa ndryshime kushtetuese. Shumë e qartë”, tha Bilall Kasami – VLEN.

E nëse vjen deri te formimi i Qeverisë mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase, pra VLEN dhe VMRO-DPMNE, Kasami thotë se shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në ekzekutiv me së paku 30% të ministrive, përfshirë edhe njërën prej tre posteve kyçe në shtet, kryeministër, kryetar kuvendi ose president shteti. Sipas Kasamit, Qeveria duhet të formohet nga dy partitë të cilat fitojnë zgjedhjet, një nga kampi maqedonas e tjetri nga kampi shqiptar.

“Nëse flasim për subjekte shqiptare, të cilat thirren në emër të shqiptarëve, përfaqësojnë shqiptarët, dhe marrin një votë, jo një deputet më shumë, një votë më shumë në këtë rast nga koalicioni VLEN, unë mendoj që është jo teoritikisht por praktikisht e pamundur që partia maqedonase për të zgjedhur parti tjetër, për të zgjedhur ministra e funksionarë të tjerë, jashtë votës dhe mandateve të qytetarëve, pa krizë të theksuar dhe pa e venduar në rrezik të ardhmen e vendit”, deklaroi Bilall Kasami – VLEN.

Sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve, Kasami thotë se nëse VLEN fiton 20 deputetë, atëherë shqiptarët nuk duhet të brengosen fare për ndryshimet kushtetuese dhe të drejtave të tyre. Për Frontin Europian, konsideron se do të fitojnë jo më shumë se 10 deputetë.

RELATED ARTICLES

Lajmet e fundit